Sport

Jorginho rrëfen fillimet e vështira: “Jetoja me 20 euro në javë, s’kisha para as për pomfrit”

Jorginho sot është një futbollist milioner, por rrugëtimi i tij drejt suksesit ka nisur mes vështirësish të mëdha. Para se të bëhej kampion i Evropës me Italinë dhe të luante për klube si Napoli, Chelsea e Arsenal, ai kishte përjetuar periudhën më të vështirë të jetës së tij.

Në vitin 2010, Jorginho ishte transferuar në Itali për t’u provuar te Hellas Verona. Një vend i ri, pa familje, dhe me shumë pak para për të përballuar jetesën.

“Po jetoja me 20 euro në javë, të cilat mi jepte menaxheri im, i njëjti person që më kishte ftuar në kamp,” rrëfen mesfushori italian me origjinë braziliane. “Gjithmonë i shpenzoja për të njëjtat gjëra: 5 euro për të telefonuar familjen time në Brazil, pak më shumë për shamponë, deodorantë dhe brushë dhëmbësh.”

Fundjavat i kalonte në internet-cafe, duke biseduar me familjen dhe miqtë përmes MSN. “Ndonjëherë, kur doja diçka të shijshme, shkoja në sheshin kryesor të Veronës dhe blija një ‘milkshake’ në McDonald’s. Kushtonte një euro. Patate të skuqura apo hamburger? Harroje! Ato ishin për fëmijët e pasur.”

Jorginho kujton se kalonte orë të tëra ulur në një shkallë në shesh, duke parë njerëzit e zogjtë, ndërsa mendonte për të ardhmen e tij.

Sot, pas më shumë se një dekade, gjithçka ka ndryshuar. Ai është bërë një nga mesfushorët më të njohur në botë, ka fituar trofe të rëndësishëm dhe aktualisht luan për Flamengo në Brazil, pas një karriere të lavdishme në Europë.

Historia e tij mbetet shembull frymëzimi për të gjithë ata që ëndërrojnë të arrijnë suksesin, pavarësisht vështirësive të fillimit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button