Kosova

Java nis me vransira dhe reshje – fundjava sjell kthjellime dhe rritje të ndjeshme të temperaturave

Java ka nisur me mot të paqëndrueshëm. Sipas “Mendimi për Motin”, dita e martë do të karakterizohet nga vransira dominuese në të gjithë territorin, megjithëse herë pas here do të depërtojnë edhe rreze të pakta dielli në intervale të shkurtra.

Që në orët e para të ditës parashikohen rrebeshe lokale shiu, të cilat në orët e pasdites do të shoqërohen edhe me bubullima. Era do të fryjë nga verilindja me intensitet të lehtë dhe mesatar, me shpejtësi 3 deri në 8 metra në sekondë. Temperaturat minimale do të zbresin deri në 13°C e 15°C, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë mes 23°C dhe 26°C.

Dita e mërkurë do të vazhdojë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme, me ndonjë rrebesh të shkurtër shiu, ndërkohë që dita e enjte do të sjellë më shumë intervale me diell. Temperaturat do të jenë në rritje, duke u ngjitur deri në 28°C – 30°C.

Nga e premtja, pritet një stabilizim i motit. Vendi do të përfshihet nga kthjellime të gjera dhe temperatura gjithnjë e më të larta, me vlera maksimale që mund të shkojnë deri në 32°C – 35°C. Minimalet në këtë periudhë pesëditore do të luhaten ndërmjet 12°C dhe 15°C.

Era do të vijojë të fryjë kryesisht nga veriu dhe verilindja, me hove që ditën e mërkurë mund të arrijnë deri në 15 metra në sekondë.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button