Japonia arrin rekord të ri me gati 100 mijë njëqindvjeçarë

Qeveria e Japonisë ka njoftuar se numri i qytetarëve mbi 100 vjeç ka arritur një rekord të ri historik, duke u ngjitur në 99,763 persona deri në muajin shtator.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kjo është hera e 55-të radhazi që vendi shënon rritje në numrin e njëqindvjeçarëve. Gratë përbëjnë 88% të këtij grupi, duke dëshmuar edhe një herë jetëgjatësinë më të lartë tek gjinia femërore.
Japonia njihet si vendi me jetëgjatësinë më të lartë në botë, shpesh duke mbajtur edhe titullin për personin më të vjetër në planet. Megjithatë, vendi po përballet me një plakje të shpejtë të popullsisë, për shkak të shkallës së ulët të lindshmërisë dhe strukturës demografike në ndryshim.
Ky trend shihet si një nga sfidat më të mëdha sociale dhe ekonomike për Japoninë në dekadat e ardhshme.