
James Rubin, një nga njerëzit më të afërt të ish-sekretares së Shtetit amerikan, Madeleine Albright, dhe ish-presidentit Bill Clinton, ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë. Ai është betuar se do të thotë të vërtetën dhe pritet të flasë për raportet e tij me ish-presidentin Hashim Thaçi, angazhimin e tij në Kosovë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe përvojën personale gjatë kohës që ka punuar në rajon.
Në një intervistë për gazetaren e njohur Christiane Amanour, Rubin tha se dëshmia e tij do të zbulojë shumë detaje nga e kaluara dhe roli i tij në themelimin e tribunaleve fillestare për krime lufte. “Do të jem në Evropë javën e ardhshme për të dhënë dëshmi dhe kam shumë për të thënë për këtë periudhë”, deklaroi ai.
Përveç Rubin, pritet që pro Thaçit të dëshmojnë edhe figura të tjera të njohura dhe diplomatë ndërkombëtarë.
Ndërkaq, dje në Hagë mijëra njerëz u mblodhën për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Protestuesit kërkuan reagim ndërkombëtar, duke argumentuar se akuzat ndaj ish-udhëheqësve shqiptarë të luftës ofendojnë edhe NATO-n.
Kjo protestë pason atë të 7 gushtit në Prishtinë, ndërsa Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.