Izmaku optimiste për marrëveshjen Kurti–Limaj: “Presim epilog pozitiv këtë fundjavë”

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka shprehur optimizëm se kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të arrijnë një marrëveshje gjatë fundjavës për zhbllokimin e situatës politike në vend.
Izmaku theksoi se Nisma nuk ka hequr dorë nga kërkesa që Limaj të udhëheqë Kuvendin e Kosovës.
“Jo, absolutisht, ne jemi në atë diagonale të bisedimeve me çështjen që zoti Limaj të jetë në krye të Kuvendit dhe të presim në fundjavë që të ketë një epilog pozitiv të bisedimeve”, deklaroi ajo.
Duke folur për atmosferën politike, deputetja tha se Limaj po tregohet i gatshëm të lërë pas egot personale dhe partiake në funksion të zgjidhjes institucionale.
“Të shpresojmë që më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend. Sikur të gjithë të kishim menduar nga fillimi që t’i tejkalojmë inatet dhe egot personale, besoj që sot kishim diskutuar për ligje”, u shpreh Izmaku.
Ajo shtoi se pas muajsh të tërë negociatash, pret që “kafja apo dreka” mes liderëve politikë të sjellë një marrëveshje përfundimtare.
“Të shpresojmë pra që kjo marrëveshje, këto bisedime që kanë shkuar me muaj të tërë ta prodhojnë një rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, përfundoi ajo.
Kriza politike në Kosovë ka hyrë në muajin e katërt pas zgjedhjeve, ndërsa përpjekjet për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve kanë dështuar në më shumë se 40 seanca.