Time Kadrijaj ironizon Kurtin për mungesën në Kuvend: “Paska shku në pushime në Greqi”

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thumbuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për mungesën e tij në seancën e sotme të Kuvendit, ku procesi i konstituimit vazhdon të mbetet i bllokuar.
Gjatë diskutimeve për formimin e komisionit për votimin e fshehtë – një hap procedural për zgjedhjen e organeve drejtuese – Kadrijaj reagoi me ironi ndaj kërkesës së kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për të propozuar një emër nga AAK.
“AAK e ka kandidatin, por paska shku në pushime në Greqi,” deklaroi ajo, duke iu referuar Albin Kurtit, i cili aktualisht ndodhet jashtë vendit.
Formimi i komisionit për votimin e fshehtë dështoi edhe këtë herë, pasi nuk mori përkrahje nga asnjë parti pos Vetëvendosjes. Opozita vazhdon të insistojë se një veprim i tillë është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ngërçi institucional po hyn në javën e katërt, ndërsa partitë politike vazhdojnë të mos bien dakord për procedurat dhe mënyrën e konstituimit të Kuvendit.