Lajme

Ivanka Trump dhe Jared Kushner blejnë ishullin e Sazanit për 1.4 miliardë euro, planifikojnë resort luksoz

Media italiane, duke u referuar te The Guardian, raporton se Ivanka Trump dhe Jared Kushner, vajza dhe dhëndri i ish-Presidentit amerikan Donald Trump, kanë blerë ishullin e Sazanit në Shqipëri për më shumë se 1 miliard dollarë. Ky ishull i njohur për bukuritë natyrore dhe historinë ushtarake pritet të transformohet në një resort luksoz nga çifti amerikan.

Ishulli i Sazanit, pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, ka qenë më parë një bazë ushtarake gjatë periudhës komuniste dhe ka mbetur i mbushur me bunkerë dhe tunele. Që nga viti 2015, ishulli është hapur për vizitorë, megjithatë disa zona vazhdojnë të mbeten në pronësi ushtarake.

Sipas raportimeve, marrëveshja e blerjes prej 1.4 miliardë eurosh u zhvillua pa dijeninë e banorëve lokalë dhe parlamentarëve shqiptarë, duke shkaktuar reagime dhe shqetësime në vend. Një nga sfidat kryesore të projektit është pastrimi i tokës nga minat dhe mbetjet ushtarake të pashpërthyera, për të garantuar sigurinë e vizitorëve të ardhshëm.

Grupi Affinity, i cili ka menaxhuar negociatat, ka shfaqur gjithashtu interes për një projekt tjetër në Serbi, ku synon të transformojë ish-selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd në një hotel luksoz.

Projekti ka ngjallur shqetësime në radhët e grupeve mjedisore dhe shkencore, të cilët paralajmërojnë për ndikimet negative në ambientin natyror dhe kulturor të zonës. Në Shqipëri, ishulli po njihet në media dhe nga banorët si “Ishulli Trump”, duke reflektuar ndikimin e familjes Trump në zhvillimet e reja në këtë zonë strategjike.

Në një podcast të fundit, Donald Trump ka shprehur entuziazmin e tij për këtë iniciativë, duke e cilësuar si “të jashtëzakonshme”, por ka theksuar se sfida më e madhe mbetet pastrimi dhe sigurimi i plotë i ishullit për turistët dhe investitorët.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button