Zvicra vazhdon bisedimet me SHBA për uljen e tarifave, por disa industri rrezikojnë humbje të mëdha të vendeve të punës

Zvicra po vazhdon negociatat me Shtetet e Bashkuara për të ulur tarifat doganore mbi eksportet zvicerane, të cilat aktualisht arrijnë deri në 39%, një masë që po rrezikon mijëra vende pune në industrinë zvicerane.
Bisedimet, që po zhvillohen në Uashington dhe ku merr pjesë edhe Helene Budliger Artieda, drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Ekonomike të Departamentit Amerikan të Shtetit, vijnë pas hyrjes në fuqi të tarifave më të larta të vendosura ndonjëherë ndaj Zvicrës nga administrata Trump.
Delegacioni zviceran, i udhëhequr nga presidentja Karin Keller-Sutter, deri tani nuk ka arritur të sigurojë një marrëveshje më të favorshme, ndërsa Sekretariati Zviceran nuk ka publikuar detaje lidhur me lëshimet që mund të ofrohen në këmbim të uljes së tarifave.
Ekonomistët paralajmërojnë për pasojat e rënda që mund të sjellin këto masa tarifore. Hans Gersbach nga Instituti KOF në Universitetin e Cyrihut vlerëson se humbja e vendeve të punës mund të variojë nga 7,500 deri në 15,000. “Industritë më të prekura do të jenë ato të prodhimit të orëve, makinerive dhe instrumenteve precize. Nëse tarifa do të ndikojë edhe në sektorin farmaceutik, humbjet mund të jenë edhe më të mëdha,” theksoi ai.
Aktualisht, sektori farmaceutik, që përfshin kompani si Roche dhe Novartis dhe përbën rreth gjysmën e eksporteve zvicerane drejt SHBA-së, nuk është prekur nga tarifat, por shqetësimet mbeten të mëdha për ndikimin e përgjithshëm ekonomik.