Bota

Italia përfshihet nga moti i keq, përmbytje dhe dëme të shumta në disa rajone

Një valë e fuqishme moti të keq ka goditur disa rajone të Italisë, duke shkaktuar përmbytje masive, dëme materiale dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Situata më e rënduar është regjistruar në veri dhe qendër të vendit, ku reshjet intensive të shiut kanë detyruar autoritetet të ndërhyjnë me urgjencë.

Në rajonin e Venetos, përmbytjet kanë goditur rëndë komunat e Spinea, Mirano, Mestre dhe Marghera, ndërsa nënkalimet janë mbushur me ujë, duke bllokuar trafikun dhe duke rrezikuar qytetarët. Probleme të mëdha janë regjistruar edhe në Padova, ku disa zona si Casale di Scodosia, Merlara, Villafranca Padovana dhe Mestrino kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Zjarrfikësit kanë pranuar mbi 130 thirrje për ndihmë dhe kanë kryer dhjetëra ndërhyrje për shkak të përmbytjeve dhe pemëve të rrëzuara.

Situatë e ngjashme është raportuar në jug të Milanos, sidomos në zonën e Lacchiarellas, ku niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra në rrugë. Në Prato, era e fortë ka rrëzuar degë dhe pemë, duke dëmtuar makina dhe çati banesash.

Edhe Viterbo është përfshirë nga një stuhi e fuqishme me breshër, reshje të dendura dhe erëra të forta, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe përmbytje në disa lagje. Një degë e madhe ka rënë në mes të sheshit Verdi, duke shkaktuar panik tek qytetarët.

Ndërkohë, në Romë dhe provincat përreth, zjarrfikësit kanë kryer mbi 100 ndërhyrje për shkak të pemëve të rrëzuara, objekteve të rrezikshme dhe dëmeve të tjera të shkaktuara nga moti i keq. Më të prekurat janë zonat në juglindje të kryeqytetit dhe bregdeti mes Fregenes dhe Ostias.

Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, autoritetet kanë shpallur alarm portokalli për rrezik të lartë në pesë rajone të vendit, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button