
Më 12 maj i riu u arrestua bashkë me një tjetër shqiptar teksa shpërndanin lëndë narkotike dhe iu sekuestruan kokainë e valutë. Gjyqtari në proces të përshpejtuar i liroi të dy, por karabinierët e Riminit e hasën duke shitur përsëri. I gjenden në banesë 43 doza kokainë dhe euro.
Rimini- Liria i ka zgjatur vetëm 24 orë pasi gjyqtari kishte zbutur masën e sigurisë.
Bie në pranga një 28-vjeçar i skeduar për aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike.
Ai ishte arrestuar pak ditë më parë po për shitje droge, por vetëm 24 orë pasi gjyqtari vendosi ta lironte, i riu u kap duke shitur kokainë.
Policia njoftoi se fillimisht ai u kap më 12 maj kur në shoqërinë e një bashkatdhetari po shiste drogë në bregdetin e Miramare (Rimini). Gjatë kontrollit u gjetën 6 doza kokaine dhe 500 euro cash.
Në gjyqin me procedurë të shkurtuar të nesërmen e arrestimit, gjyqtari i kishte liruar, por mesa duket për 28-vjeçarin kjo nuk kishte qenë e mjaftueshme, kështu që në mbrëmjen e 14 majit ai u vu re përsëri nga një patrullë e karabinierëve pranë një hoteli në Rivazzurra. Ai po fliste në mënyrë të dyshimtë me një djalë dhe më pas po i kalonte një pako, informon media italiane.
Karabinierët ndërhynë, duke bllokuar shitjen e kokainës dhe filluan një kontroll të dhomës së zënë nga shqiptari në një banesë aty pranë. Aty u gjetën 43 doza kokainë të fshehura në një zgavër, me një peshë totale prej 35 gramësh, si dhe 180 euro. Këtë herë para gjyqit nuk gjeti më mëshirën e gjyqtarit, por u izolua në paraburgim.