Kosova

Ish-ushtarakët krijojnë shoqatën “Elita”: Në shërbim të sigurisë së vendit edhe pas pensionimit

Pasi ia kushtuan jetën sigurisë dhe mbrojtjes së vendit – fillimisht në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më pas në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe së fundi në Forcën e Sigurisë së Kosovës – një grup ish-ushtarakësh të pensionuar kanë vendosur që kontributin e tyre ta vazhdojnë edhe jashtë uniformës.

Të organizuar në shoqatën “Elita”, këta veteranë të sigurisë synojnë të jenë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar institucionet e vendit në raste emergjente dhe kërcënimesh të sigurisë.

Gjeneral Bajram Bekteshi, njëri nga iniciatorët e kësaj shoqate, thotë se “Elita” është krijuar për të ndihmuar shtetin kur ka nevojë për përkrahje në rast të fatkeqësive natyrore apo krizave të sigurisë.

“Ne punojmë që të ndërtojmë dhe të forcojmë gatishmërinë që t’i dalim në ndihmë institucioneve tona shtetërore të sigurisë kur ndihet nevoja për veprim të përbashkët në rast të fatkeqësive elementare por edhe në çdo kërcënim që i rrezikohet atdheut”, u shpreh Bekteshi.

Sipas tij, rreziqet e reja globale dhe zhvillimet e paqëndrueshme në rajon dhe më gjerë, e bënë të domosdoshme krijimin e një organizate të tillë, ngjashëm me shumë vende të tjera të rajonit dhe Evropës, që veprojnë me struktura të veteranëve të sigurisë.

“Kosova nuk e kishte një shoqatë të tillë. Dhe të gjitha shtetet tjera, qoftë të Ballkanit apo Evropës, veprojnë me shoqata të tilla që kryejnë detyra e veprime për të cilat nuk ka gjithmonë hapësirë institucionale,” tha ai, ndërsa shtoi se deri më tani nuk kanë gjetur përkrahje të mjaftueshme nga institucionet.

Ndërkohë, profesori i shkencave të sigurisë dhe mbrojtjes, Haxhi Ferati, thekson rëndësinë e ruajtjes së përvojës së fituar nga ish-ushtarakët.

“E kemi pa si një nevojë të madhe që mos me i humb këto kapacitete që i kemi, ato kanë mbërri nivele të larta të përgatitjes dhe aftësimit në fushën ushtarake. Në këtë moshë të re me shku kjo energji e humbur, kemi menduar se ka rrugë tjera dhe një prej tyre ka qenë kjo – t’i afrojmë kuadrot që kanë qenë pjesë e TMK-së dhe FSK-së,” u shpreh Ferati.

Shoqata “Elita” është e strukturuar në degë të ndara sipas zonave të luftës së fundit në Kosovë dhe tashmë numëron një pjesëmarrje të gjerë të ish-ushtarakëve që janë të gatshëm të ofrojnë përvojën e tyre për sigurinë e vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button