Kosova
Kryesore

Ahmetoviq: Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës – Shqipëtarët në Serbi të përfshihen në dialog

Deputeti gjerman i SPD-së, Adis Ahmetoviq, në një intervistë për Deutsche Welle, foli hapur për çështjet e ndjeshme që prekin Ballkanin Perëndimor – nga përkujtimi i gjenocidit të Srebrenicës, deri te mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ahmetoviq, i cili ka prejardhje boshnjake dhe vetë ka humbur gjyshin në luftën e Bosnjës, tha se është thellësisht i prekur nga përvjetori i 30-të i gjenocidit të Srebrenicës dhe kujtoi rëndësinë që Bundestagu gjerman i dha kësaj dite përmes debatit dhe përkujtimit zyrtar.

“Edhe 30 vjet pas gjenocidit, ka politikanë në Ballkan që e mohojnë krimin dhe lavdërojnë kriminelët e luftës. Kjo është e papranueshme,” u shpreh ai.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, prioritet për SPD-në

Ahmetoviq nënvizoi se Kosova duhet të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës sa më parë të jetë e mundur, duke shtuar se për SPD-në kjo duhej të kishte ndodhur “dje e jo nesër”.

“Na zhgënjeu fakti që kjo nuk u arrit më herët, ndonëse kishte momentum. Qeveria gjermane duhet të kishte ushtruar më shumë presion mbi vendet anëtare të KE-së që ishin kundër,” tha ai.

Ahmetoviq premtoi se si përfaqësues i politikës së jashtme të SPD-së, do të angazhohet fuqishëm për ta mbajtur këtë çështje në axhendën evropiane.

Integrimi në BE dhe NATO – garanci për paqe dhe siguri

Ai theksoi se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO është i domosdoshëm për paqen e qëndrueshme në rajon. Ahmetoviq theksoi se pa siguri nuk mund të ketë as zhvillim, duke rikujtuar se popujt e rajonit nuk ikën nga luftërat për të kërkuar punë, por për të shpëtuar nga krimet.

Vëmendje ndaj Luginës së Preshevës

Deputeti gjerman pranoi se çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk ka marrë vëmendjen e duhur ndërkombëtare. Ai tha se kishte pritur një delegacion nga Lugina në Bundestag dhe ishte tronditur nga përmasat e problemit.

“S’kisha të qartë sa serioze është situata në terren. Ka marrëveshje që Serbia është zotuar t’i zbatojë për përfshirjen e shqiptarëve në administratë, polici dhe drejtësi – dhe këto duhet të zbatohen,” deklaroi Ahmetoviq.

Kërkesa për përfshirjen e Luginës në dialogun Kosovë-Serbi

Duke komentuar kërkesën që çështja e shqiptarëve të Serbisë Jugore të përfshihet në dialogun Kosovë–Serbi, ai e quajti atë “tërësisht legjitime”.

“Nëse Serbia kërkon të drejta për serbët në Kosovë, atëherë standardet duhet të vlejnë edhe për shqiptarët në Serbi. E mora këtë kërkesë si një detyrë për punën time dhe do ta adresoj,” premtoi ai.

Thirrje për stabilitet politik në Kosovë

Ahmetoviq kërkoi rikthimin e stabilitetit institucional në Kosovë, duke theksuar se kjo është thelbësore për përparimin në integrimin evropian dhe në organizata ndërkombëtare. Ai shprehu përkrahjen për Qeverinë Kurti dhe Presidenten Osmani, duke e quajtur Kosovën një “demokraci të re, me përfaqësim dinjitoz”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button