Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu: Ambasadorët gjerman e francez “kanë rënë në provim”, duhet të shkojnë në shtëpi

Përdorimi politik që Lëvizja Vetëvendosje i bëri vendosjes së njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Ujmanit u kritikua ashpër nga ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës. Por kritikat e tyre nuk janë pritur mirë nga ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, i cili i ka quajtur “të dështuar” në misionin diplomatik dhe u ka kërkuar të “shkojnë në shtëpi”.
Në një reagim të fortë të publikuar nga Express, Kryeziu tha se ambasadorët Rohde dhe Guerot kanë kaluar vijat e kompetencës diplomatike, duke komentuar mbi interpretime të brendshme politike dhe jo mbi qëndrime zyrtare të institucioneve të Kosovës.
“Nuk ka asnjë dëshmi që dikush nga institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës ka bërë ndërhyrje digjitale në fotografi, po ashtu në deklaratat zyrtare nuk ka asnjë mohim të rolit të KFOR-it,” shkroi Kryeziu. Sipas tij, ambasadorët duhet të verifikojnë në hollësi çdo pretendim përpara se të japin deklarata që, sipas tij, bien në nivelin e “thashethemeve”.
Ai i akuzoi dy diplomatët për mendësi kolonialiste dhe për qasje paternaliste ndaj institucioneve të Kosovës.
“Lëshimi në interpretime të tilla është tregues i një mendësie prej kolonizatori dhe patroni të huaj që është i frustruar pse nuk binden skllevërit,” shtoi ai.
Kryeziu vuri në pah se të dy ambasadorët, në fillimet e shërbimit të tyre diplomatik, ishin të lidhur ngushtë me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes, ndërsa tani, sipas tij, janë shndërruar në pjesë të mendësisë së “çarshisë politike”.
“Vazhdimi i qëndrimit të tyre në detyrë nuk i bën nder as Gjermanisë dhe as Francës,” përfundon reagimi i ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Ky qëndrim vjen pas përplasjes së fundit politike lidhur me rolin dhe praninë e FSK-së në veri të vendit dhe pas kritikave ndërkombëtare për mënyrën se si është komunikuar kjo lëvizje në opinion.