Kosova

Kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në rastin “Banjska” – dyshohet për deklarim të rremë dhe ndihmë ndaj grupit terrorist

Avokati Naim Rudari, përfaqësuesi ligjor i policit të plagosur në rastin “Banjska”, Alban Rashiti, ka ushtruar kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve të përfshirë në këtë çështje, nën dyshimin se kanë kryer disa vepra penale të rënda.

Sipas njoftimit të publikuar nga avokati Rudari në Facebook, kallëzimi penal është ushtruar për veprat penale: “Ndihma në kryerjen e terrorizmit”, “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”, “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, “Deklarim i rremë” dhe “Manipulimi me prova”.

Ai bëri të ditur se më 22 dhe 24 korrik 2025, në Gjykatë janë dëgjuar si dëshmitarë Rade Nedelkoviq dhe Velko Iliq, ky i fundit në një seancë të mbyllur. Të kallëzuarit tjerë janë Marko Saviq dhe Ivan Filimonoviq.

Sipas avokatit, këta persona jo vetëm që kanë ndihmuar grupin terrorist duke i strehuar në hotelin “Rajnska Banja” në fshatin Bajnskë, por edhe kanë kontribuar në maskimin e tyre si punëtorë hoteli, u kanë ofruar ndihmë të plagosurve dhe i kanë ndihmuar të largohen nga zona, duke i zhveshur nga uniformat dhe duke i pajisur me rroba civile.

Më tej, Rudari akuzon dëshmitarët se kanë dhënë deklarata të rreme në gjykatë me qëllim mbrojtjeje të të dyshuarve për terrorizëm, duke mohuar ato që kishin deklaruar më parë në polici e prokurori.

“Detyrimi për të deklaruar të vërtetën nuk ka alternativë,” theksoi ai, duke kërkuar nga Prokuroria që të nisë sa më parë hetimet, pasi sipas tij, përmes një hetimi të plotë do të sigurohen edhe më shumë prova për personat që kanë ndihmuar grupin terrorist në Bajnskë.

Rudari e konsideron këtë proces si borxh ndaj familjes së policit të ndjerë Afrim Bunjaku, ndaj policit të plagosur Alban Rashiti, si dhe ndaj gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai shton se ndriçimi i plotë i veprimtarive kriminale që, sipas tij, janë orkestruar nga Serbia, është i domosdoshëm për të vendosur drejtësi.

Rasti “Banjska”, i ndodhur në shtator të vitit të kaluar, është një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë që ka përfshirë Kosovën në dekadën e fundit, me pasoja tragjike për Policinë e Kosovës dhe me jehonë ndërkombëtare për shkak të natyrës së dyshuar terroriste të incidentit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button