Ish-ambasadori Boçka: Atmosfera e rrezikshme në ndeshjen e Beogradit

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Ilir Boçka, ka treguar detaje të reja rreth ngjarjeve të vitit 2014 në Beograd, kur ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë u shndërrua në një betejë dhune.
Boçka kujton se një natë para ndeshjes, delegacioni shqiptar, së bashku me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, ishin ftuar në një darkë protokollare nga presidenti i federatës serbe. Por tensionet nisën qysh në aeroport, ku pasagjerët që vinin nga Tirana, mes tyre edhe deputetë e gazetarë, u ndaluan padrejtësisht për disa orë.
“Kur erdhi avioni nga Tirana, të gjithë pasagjerët pa dallim u ndaluan të hynin në Serbi. U bllokuan deputetë dhe punonjës të shtypit shqiptar. Pas një përpjekje dy orëshe, u arrit që ata të lejoheshin të dilnin nga aeroporti”, tha Boçka.
Ai shton se gjatë ndeshjes ndodhej në tribunën qendrore, pranë presidentit të atëhershëm të Serbisë, kur situata mori përmasa të frikshme.
“Gjithçka filloi krejt normalisht, por shumë shpejt atmosfera u ndez. Kujtoj që gjithë stadiumi në kor nisi të thoshte ‘vritini shqiptarët’”, deklaroi ish-ambasadori.
Deklaratat e tij rikthejnë në vëmendje një nga episodet më të tensionuara në historinë e futbollit mes dy vendeve, i cili shënoi përplasje të ashpra politike dhe sportive mes Shqipërisë dhe Serbisë.



