
Në Kosovë janë shënuar nëntë raste të fruthit në javën e dytë të majit tek fëmijët nga 1 deri në 5 vjeç, njoftoi të mërkurën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Instituti njoftoi në Facebook se 4 raste janë raportuar nga Ferizaj; 2 nga Shtimja dhe nga 1 rast në Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë. Të gjitha rastet kanë të bëjnë më fëmijë të pavaksinuar me vaksinën kundër fruthit MMR (fruth, rubeollë dhe shyta).
“IKSHPK tërheq vërejtjen se nuk bëhet fjalë më vetëm për raste të importuara, por për raste të fruthit të shfaqura brenda komunitetit në Kosovë, drejtpërdrejt si pasojë e mosvaksinimit”, thuhet në njoftim.
Çfarë është fruthi?
Fruthi është një infeksion i shkaktuar nga një virus dhe, sipas OBSH-së, është një prej sëmundjeve më ngjitëse. Ai shfaqet me skuqje në lëkurë – fillimisht me njolla në fytyrë dhe pas veshëve, që më pas përhapen në gjoks dhe shpinë dhe në fund në këmbë.
Simptomat tjera që e shoqërojnë fruthin, përfshijnë: temperaturë, koll të thatë, rrjedhje nga hunda, dhimbje të fytit e të tjera. Infeksioni ndodh në faza, nga dy deri në tri javë. Fruthi mund të parandalohet me vaksinim, por, në raste të caktuara, mund të jetë edhe sëmundje serioze ose fatale.
Në fillim të këtij viti, IKSHPK tha se “nuk pritej” të kishte ndonjë shpërthim të sëmundjes, pasi shkalla e vaksinimit të fëmijëve kundër saj “është e lartë”. Nga IKSHPK-ja thonë se shkalla e vaksinimit kundër fruthit në Kosovë është mbi 90%.