Lajme

Berisha: Rama gati ta shndërrojë Shqipërinë në “megaburg” për të siguruar mbështetje ndërkombëtare

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama për manipulim të zgjedhjeve të fundit, duke deklaruar se nuk bëhet fjalë për fitore, por për një “grabitje të pastër të votës së qytetarëve shqiptarë”.

Gjatë një konference për mediat, Berisha tha se kushdo që flet për fitore në zgjedhjet e 2025-ës “bëhet palë me Edi Ramën”, duke theksuar se nuk ka asnjë shqiptar që nuk e ka parë me sytë e vet mënyrën se si u vodhën votat.

“Kjo nuk është fitore. Kjo është grabitje. Dhe plaçka e vjedhur duhet të kthehet. Kushdo që pa me sytë e tij vjedhjen e zgjedhjeve dhe flet për fitore, përdor fjalorin e Ramës,” – u shpreh Berisha.

Ai përmendi shpërndarjen e 100 eurove për pensionistët para zgjedhjeve, duke e konsideruar atë si një formë blerjeje të votës. Sipas tij, pensionistët përbëjnë 48% të elektoratit dhe kjo shpërndarje është pjesë e një skeme manipulimi.

“Merr 100 euro, jep 48% të votave. Kaq e thjeshtë është,” – deklaroi ai.

Berisha gjithashtu denoncoi faljen e 200 milionë eurove në gjoba vetëm dy ditë para zgjedhjeve, si dhe legalizimin e kultivimit të kanabisit në të katër anët e vendit.

“Mos harroni, një bimë sjell 1 mijë euro prodhim. Kush nuk i pa këto? Kush nuk i pa Xhabaftët në Vorë, apo Pojën në Durrës, Suel Çelën në Elbasan?” – shtoi ai, duke përmendur emra të lidhur me grupe kriminale.

Në një deklaratë të fortë, Berisha tha se Rama është i gatshëm të shndërrojë Shqipërinë në një “megaburg” për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për zgjedhjet, por sipas tij, kjo nuk do të funksionojë sepse “vendet e lira nuk pranojnë zgjedhje të grabitura”.

“Nuk kalohet duke shkelmuar votën e shqiptarëve. Do të ketë një dialog intensiv të opozitës me kancelaritë e vendeve të lira,” – paralajmëroi Berisha.

Ai përmbylli deklaratën me thirrjen se “nuk ka ndërgjegje njerëzore që mund të mohojë këtë grabitje”, duke e cilësuar procesin zgjedhor si një plaçkitje të demokracisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button