Institutet paralajmërojnë: Ekonomia gjermane rritet vetëm falë investimeve qeveritare

Ekonomia gjermane pritet të shënojë një rritje të lehtë pas dy viteve recesioni, por vetëm falë investimeve të mëdha nga qeveria federale. Ky është përfundimi i Vlerësimit të Vjeshtës, të publikuar nga institutet kryesore ekonomike të vendit.
Sipas parashikimeve, në vitin 2025 prodhimi i brendshëm bruto do të rritet me vetëm 0.2%, ndërsa në vitin 2026 pritet një rimëkëmbje më e dukshme me 1.3%. Për vitin 2027, ekonomistët parashikojnë një rritje prej 1.4%.
“Ekonomia gjermane është ende në këmbë të pasigurta. Ajo do të rimëkëmbet ndjeshëm në dy vitet e ardhshme, por ky vrull nuk do të zgjasë për shkak të dobësive strukturore”, deklaroi Geraldine Denis-Knedlich nga Instituti DIW në Berlin.
Ekspertët theksojnë se rritja e pritshme mbështetet kryesisht në shpenzimet publike për infrastrukturën, por problemet afatgjata – si kostot e larta të energjisë dhe punës, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe rënia e konkurrueshmërisë – vazhdojnë të pengojnë ekonominë.
Ndërsa sektori i shërbimeve, sidomos ai publik, pritet të shënojë rritje, industria prodhuese do të ketë vetëm një rimëkëmbje modeste për shkak të dobësimit të kërkesës së jashtme për mallrat gjermane.
Instituti Ifo në Mynih raportoi gjithashtu rënie të disponimit të biznesit, sidomos në sektorin e transportit dhe logjistikës, ndërsa ndërtimi ka shfaqur një optimizëm të lehtë.
Michael Hiter nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike (IW) e përshkroi situatën si “një lloj skleroze gjermane”, duke theksuar se modeli ekonomik i bazuar në eksporte është nën presion nga deglobalizimi dhe proteksionizmi.
Parashikimi është përgatitur nga katër institute kryesore: DIW në Berlin, IfW në Kiel, Ifo në Mynih dhe RWI në Essen, nën udhëheqjen e DIW-së.
Qeveria e re kristiandemokrate-socialdemokrate e kancelarit Friedrich Merz, e cila mori pushtetin në maj, ka premtuar ringjalljen e ekonomisë pas recesionit të viteve të fundit.



