Kosova

Institucionet gjejnë mbetje gjatë gërmimeve në Brekoc

Gjatë gërmimeve të kryera më 30 korrik në varrezat e fshatit Brekoc të Gjakovës, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë (1998–1999).

Policia e Kosovës njoftoi se Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka ekzekutuar urdhëresën e gjykatës për eksumim në këtë zonë.

Gjatë gërmimeve në lokacionin e dyshuar, hetuesit kanë hasur në mbetje eshtërore njerëzore me interes forenzik. Sipas autoriteteve, dyshohet se mbetjet i përkasin të paktën një personi të zhdukur gjatë periudhës së luftës.

Mbetjet janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim mjeko-ligjor, për të mundësuar identifikimin dhe verifikimin e tyre përmes analizave të ADN-së.

Ky zhvillim vjen në vazhdën e përpjekjeve të institucioneve vendore për zbardhjen e fatit të mbi 1,600 personave që ende figurojnë të zhdukur nga lufta në Kosovë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button