Inflacioni në Turqi në rënie, por dyshimet mbi të dhënat zyrtare mbeten

Inflacioni në Turqi ka shënuar një ngadalësim të lehtë gjatë muajit korrik, megjithatë zhvleftësimi i monedhës turke vazhdon të jetë i pranishëm. Sipas të dhënave zyrtare të Entit të Statistikave në Turqi, inflacioni vjetor ka rënë në 33.52 për qind, duke përfaqësuar nivelin më të ulët që nga nëntori i vitit 2021. Në muajin qershor inflacioni ishte 35.05 për qind.
Rënia mujore e çmimeve në korrik është regjistruar në 2.06 për qind, ndërsa sektorët që kanë shënuar rritjen më të lartë janë ai i banimit me 5.78 për qind dhe pijet alkoolike e duhani me 5.69 për qind.
Megjithatë, ekspertët mbeten skeptikë mbi vërtetësinë e këtyre të dhënave. Grupi i pavarur Enag vlerëson se inflacioni real për muajin korrik është 65.1 për qind, shumë më i lartë se shifrat zyrtare.
Që prej pesë vitesh, inflacioni në Turqi mbetet në nivel dyshifror, ndërsa rekordi u shënua në fund të vitit 2022, me një inflacion prej 85 për qind.
Ndërkohë, Banka Qendrore e Turqisë ka nisur një cikël të ri të uljes së normës bazë të interesit. Më 24 korrik, norma u ul nga 46 në 43 për qind. Sipas analistëve të “Morgan Stanley”, priten edhe tri ulje të tjera gjatë këtij viti, me qëllim që norma të arrijë në rreth 36 për qind deri në fund të vitit.
Banka Qendrore ka parashikuar gjithashtu që inflacioni të zbresë në 24 për qind deri në fund të vitit, ndonëse objektivi i saj afatgjatë mbetet një inflacion prej vetëm 5 për qind.
Zhvillimet e fundit ekonomike pasojnë vendimin e qeverisë për rritjen e taksave mbi karburantet, duhanin dhe ndikimin e çmimeve të larta të energjisë, të cilat pritet të ndikojnë përkohësisht në përshpejtimin e inflacionit.