Inflacioni në Kosovë arrin 4,3% në korrik, rritje e theksuar e çmimeve të ushqimeve, energjisë dhe shërbimeve

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në korrik 2025 ishte mesatarisht 4,3% më i lartë krahasuar me korrikun e vitit 2024.
Rritja kryesore e çmimeve u shënua në grupet: pushime të organizuara (20,9%), kafe, çaj dhe kakao (16,9%), energji elektrike (16,6%), mish (12,7%), pemë (12,3%), perime (10,7%), si dhe shërbime të tjera dhe mirëmbajtje të pajisjeve të transportit personal (mbi 10%). Çmime më të larta u regjistruan edhe për vajra e yndyra (9,9%), shërbime hoteliere (8,2%), shërbime ambulantore (7,1%), si dhe për disa produkte ushqimore bazë si qumështi, djathi dhe vezët (6,5%).
Nga ana tjetër, rënie e çmimeve krahasuar me korrikun e vitit të kaluar u regjistrua te biletat e fluturimeve (-10,3%) dhe te karburantet e lubrifikantët për transportin personal (-6,2%).
ASK thekson se inflacioni mujor — krahasuar korrikun 2025 me qershorin 2025 — ishte 0,2%. Në këtë periudhë u shënua rritje te pushimet e organizuara (11,8%), karburantet (1,9%), pijet joalkoolike (0,9%) dhe mishi (0,5%), ndërsa rënie e çmimeve u regjistrua vetëm te perimet (-2,7%).
Sipas të dhënave, rritja e çmimeve të ushqimeve, energjisë dhe shërbimeve mbetet faktori kryesor që po mban inflacionin në nivele të larta në vend.