AKB: Kosova po humb investime e fonde, rrezikon rënie ekonomike 3%

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka paralajmëruar përkeqësim të situatës ekonomike në vend, duke theksuar se mungesa e qeverisjes funksionale, çmimet e larta të energjisë dhe pasiguria juridike po e bëjnë Kosovën joatraktive për investitorët e huaj.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se vendi pritet të ketë rënie ekonomike rreth 3% të BPV-së krahasuar me vitin e kaluar, duke e thelluar më tej varfërinë dhe pasigurinë politike.
“Kosova nuk është më atraktive për asgjë që e nxit një investitor të vijë. Nuk kemi Qeveri, Kuvend, kemi pasiguri juridike, energjinë e kemi më të shtrenjtën në Evropë. Bizneset janë të dëmtuara dhe investitorët, vendorë e të huaj, po largohen,” u shpreh Shahini.
Sipas tij, Kosova ka humbur mbi 880 milionë euro fonde të dedikuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa projekte të rëndësishme infrastrukturore janë pezulluar. Ai shtoi se rreth 25% e aktiviteteve të bizneseve prodhuese janë ndalur, duke paralajmëruar se vendi rrezikon të futet në një “moratorium ekonomik” pas një periudhe gjashtëmujore me bllokim të kontratave dhe mungesë të zhvillimit.
Shahini vlerësoi se ngërçi politik dhe diplomatik ka ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e vendit, duke e bërë Kosovën një destinacion jo të përshtatshëm për investime.