Ilir Meta në Lezhë: Lezha lidhi “besën e madhe për Shqipërinë madhështore”, 11 maji dita e çlirimit nga korrupsioni

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shpërndarë një mesazh të fuqishëm për qytetarët e Lezhës përmes një postimi në Facebook, pas një mbledhjeje masive në sheshin e qytetit. Ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe besimin, duke e cilësuar këtë moment si një kthesë historike për Lezhën dhe për të ardhmen e Shqipërisë.
Sipas Metës, Lezha ka vendosur të bëjë ndryshimin e madh dhe të nisë një rrugëtim të ri, duke lidhur “besën e madhe për Shqipërinë madhështore”.
Në qendër të vlerësimit të tij ishte kandidati i opozitës për Lezhën, Viktor Tusha, për të cilin Meta u shpreh se ka sjellë një dimension të ri në fushatën elektorale dhe në misionin për të çliruar qytetin nga korrupsioni. “Viktori është pa asnjë diskutim një vlerë e madhe e shtuar e kësaj fushate të paparë të opozitës,” shkroi Meta.
Ai theksoi se data 11 maj do të jetë një ditë triumfi, ku qyteti do të çlirohet “një herë e përgjithmonë nga banditët dhe plaçkitësit e narkoqeverisë”.
Në fund të mesazhit të tij, Meta uroi fitore për Aleancën për Shqipërinë Madhështore dhe për Viktor Tushën, të cilin e quajti “mik, qëndrestar dhe bashkëluftëtar për më shumë se dy dekada”.