IKSHPK paralajmëron për rrezik të shtuar të helmimeve ushqimore gjatë verës: Kujdes me përgatitjen dhe ruajtjen e ushqimit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka paralajmëruar për një rritje të ndjeshme të rrezikut nga helmimet ushqimore për shkak të temperaturave të larta gjatë stinës së verës.
Në një njoftim zyrtar, IKSHPK thekson se mikroorganizmat shumohen më shpejt në të nxehtë dhe si rrjedhojë, ushqimi prishet më lehtë. Prandaj, bëhet thirrje për kujdes maksimal gjatë përgatitjes dhe ruajtjes së ushqimeve.
Sipas institutit, ushqimi mund të kontaminohet nga një sërë faktorësh si duart e papastra, uji i pasigurt, ushqimet e papërpunuara, kafshët shtëpiake dhe insektet. Rekomandohet që ushqimi të gatuhet mirë dhe të konsumohet menjëherë pas përgatitjes.
Masat që duhen ndërmarrë për të parandaluar helmimet ushqimore:
Temperatura e duhur: Ruajeni ushqimin në temperatura të sigurta – mbi 60°C ose nën 5°C.
Shkrirja e mishit: Mishi i ngrirë dhe ai i shpendëve duhet të shkrihet tërësisht para gatimit.
Ringrohja e ushqimit: Para konsumit, sigurohuni që ushqimi i ruajtur të arrijë temperaturën 70°C.
Ndarja e ushqimeve: Përdorni vegla të ndara për ushqimet e papërpunuara dhe të gatuara për të shmangur ndotjen.
Higjiena personale: Lani duart rregullisht para dhe pas përgatitjes së ushqimit, pas përdorimit të tualetit, kontaktit me kafshët apo pas ndërrimit të foshnjave.
Kujdesi në kuzhinë: Mbani pastër sipërfaqet, enët dhe leckat, të cilat duhet të zihen në rast kontaminimi.
Mbrojtja nga insektet: Ushqimin mbajeni në enë të mbyllura dhe larg brejtësve.
Uji i sigurt: Përdorni ujë të pastër, dhe në rast dyshimi, vlojeni para përdorimit.
Kontrolli i cilësisë: Shikoni datat e skadimit dhe shmangni produktet me erë ose pamje të pazakontë.
Ushqimi jashtë shtëpisë: Në piknikë apo udhëtime, përdorni frigoriferë dore ose enë termoizoluese për të ruajtur ushqimin.
IKSHPK bën apel për ndërgjegjësim dhe përgjegjësi në trajtimin e ushqimit për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve gjatë ditëve të nxehta të verës.