Kosova

Rasti Zejnullahu trondit vendin: Paralele me Deharin, reagime e kërkesa për dorëheqje

Vdekja e dyshimtë e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në duart e policisë në Lipjan ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur reagime të ashpra nga shoqëria civile.

Pamjet që qarkulluan në media tregojnë momentin kur pesë zyrtarë policorë ndodheshin mbi trupin e të riut, ndërsa përpiqeshin ta arrestonin. Për këtë rast, tashmë janë suspenduar pesë policë dhe janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka krahasuar këtë rast me atë të Astrit Deharit, duke e quajtur një tjetër vdekje “në dorë të shtetit”. Ai ka kritikuar qeverinë për heshtjen ndaj këtij rasti, duke akuzuar për standarde të dyfishta dhe mungesë parimesh.

“Agon Zejnullahu, njëjtë sikurse Astrit Dehari, ka gjetur vdekjen në dorë të shtetit. Nëse për Deharin VV kishte kërkuar sqarime, në rastin e Zejnullahut po hesht”, deklaroi Miftaraj.

Ai shtoi se Policia e Kosovës duhet të mbajë besimin e qytetarëve, por për këtë kërkohet profesionalizëm dhe përgjegjësi. Sipas tij, problemet në këtë institucion janë thelluar që nga vendimi i qeverisë për të reduktuar kohën e trajnimit të policëve të rinj në vetëm tre muaj. “Faturën për këtë duhet ta paguajnë Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla”, tha Miftaraj, duke shtuar se një dorëheqje morale nga ministri i Brendshëm do të ishte një hap minimal në rrethana të tilla.

Ndërkohë, ministri Xhelal Sveçla ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit dhe duke thënë se ka kërkuar hetim urgjent dhe të pavarur nga Inspektorati Policor i Kosovës. Sipas tij, hetimet tashmë po zhvillohen me intensitet maksimal.

Rasti mbetet nën hetim, ndërsa opinioni publik kërkon transparencë dhe drejtësi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button