Igor Popoviq para Gjykatës Themelore në Prishtinë, pritet të shqyrtohet marrëveshja për pranimin e fajësisë

Ndihmësi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën masa të shtuara sigurie dhe me duar të lidhura, për seancën dëgjimore ku pritet të shqyrtohet marrëveshja për pranimin e fajësisë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte njoftuar më 5 gusht se ka dorëzuar aktakuzën ndaj Popoviqit për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit, pas një fjalimi të mbajtur më 18 korrik në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ai kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”.
Sipas Prokurorisë, Popoviqi ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë, dhe për këtë arsye, krahas aktakuzës, është dorëzuar edhe marrëveshja për pranimin e fajësisë në gjykatë.
Zyrtari serb ishte ndaluar po atë ditë në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut dhe pas ndalimit 48-orësh nga policia, më 20 korrik atij iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji. Vendimi u apelua nga avokati i tij, por më 31 korrik, Gjykata e Apelit e la në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore.
Nëse marrëveshja për pranimin e fajësisë miratohet nga gjykata, Popoviq mund të përfitojë nga një dënim më i lehtë, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.