Identifikohen autorët e dyshuar të djegies së automjetit në “Belul Hatibi”, tre persona shpallen në kërkim

Policia e Tiranës ka identifikuar tre persona të dyshuar për përfshirje në djegien e një automjeti, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 16 prillit, në rrugën “Belul Hatibi”.
Sipas njoftimit zyrtar, si rezultat i hetimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Nr. 4, janë shpallur në kërkim tre shtetas: një maqedonas, A. S., 65 vjeç, si dhe dy shtetas kosovarë, A. S., 37 vjeç dhe F. B., 40 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00, kur automjeti në pronësi të shtetases P. K., 30 vjeçe, u përfshi nga flakët. Policia dyshon se ky veprim është kryer për motive të dobëta, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në organizimin dhe ekzekutimin e tij të jenë përfshirë edhe persona të tjerë.
Grupet hetimore po vijojnë punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vepre penale. Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e mëtejshëm të hetimeve.