Kosova
Kryesore

IAP nis hetime për përdorimin e forcës nga policia në rastet Klinë dhe Lipjan: Kërkohet transparencë dhe përgjegjësi

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetime zyrtare për dy raste të ndara ku zyrtarë të Policisë së Kosovës dyshohet se kanë ushtruar forcë të tepruar ndaj qytetarëve – një në Klinë dhe tjetri në Lipjan, ku si pasojë humbi jetën Agon Zejnullahu.

“Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Rasti tragjik në Lipjan ndodhi më 7 korrik, ku 27-vjeçari Zejnullahu ndërroi jetë pas arrestimit nga policia, që kishte intervenuar me dyshimin se ai po sulmonte automjete dhe kalimtarë nën ndikimin e alkoolit. Për këtë rast, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë dhe janë nën hetim për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”. Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar edhe suspendimin e tyre.

Sipas IAP, ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara nga Kushtetuta e Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i autorizimeve ligjore dhe çdo formë dhune apo keqtrajtimi janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë”, theksohet në reagim.

Avokati i Popullit ka kërkuar transparencë të plotë nga të gjitha institucionet kompetente dhe ka nënvizuar rëndësinë e trajnimeve të vazhdueshme për zyrtarët policorë, me qëllim të garantimit të standardeve profesionale gjatë çdo ndërhyrjeje.

Ky institucion ka siguruar se do të ndjekë nga afër të gjitha zhvillimet dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button