Kosova

I sulmoi mediat për Exit-Pollet, AGK i reagon Pecit e VV’së: Sulme të ulëta e të papranueshme, tërhiqni akuzat

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas deklaratave të kandidatit të Vetëvendosjes për komunën e Mitrovicës Jugore, Faton Peci, i cili përmes një postimi në rrjete sociale ka sulmuar mediat lidhur me Exit Pollet e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

AGK e ka cilësuar komunikimin e Pecit si “fushatë të rëndë intimiduese” dhe “sulme të ulëta e të papranueshme” ndaj TV Dukagjinit.

“Është e papranueshme që një politikan si zoti Peci të japë kualifikime kaq të rënda për një media, në kuadër të betejës politike të tij dhe partisë që përfaqëson. Komunikimi i tillë është thellësisht i papërgjegjshëm dhe përbën akuzë me potencial të rrezikshëm,” thuhet në reagimin e AGK-së.

Në postimin e tij, Peci kishte quajtur TV Dukagjinin “qendër operative të ndërmarrjes kriminale”, duke iu referuar publikimit të Exit Pollit të 12 tetorit.

AGK ka kërkuar nga Peci dhe nga Vetëvendosja që urgjentisht të tërheqin akuzat publike ndaj televizionit dhe gazetarëve, pasi sipas saj, këto deklarata nxisin sulme të vazhdueshme ndaj mediave.

“Ambienti i mediave për të bërë punën e tyre është vështirësuar shumë për shkak të retorikës së papranueshme si kjo e zotit Peci. Mediat duhet të lihen të lira të raportojnë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor,” përfundon reagimi i AGK-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button