Uragani Melissa godet Kubën pas shkatërrimeve në Xhamajkë: mijëra të evakuuar, dëme të mëdha materiale

Uragani Melissa ka goditur Kubën të mërkurën, vetëm pak orë pasi shkaktoi shkatërrime të rënda në Xhamajkë, duke u cilësuar si stuhia më e fuqishme që ka prekur këtë rajon të Karaibeve në dekadat e fundit.
Sipas Qendrës Kombëtare Amerikane për Uragane, stuhia ka prekur brigjet jugore dhe lindore të Kubës me erëra që arritën deri në 195 kilometra në orë, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëme të mëdha materiale.
Autoritetet kubane njoftuan se rreth 735 mijë persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në pjesën lindore të vendit. Presidenti Miguel Diaz-Canel paralajmëroi se Melissa mund të “shkaktojë dëme të mëdha” dhe u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë urdhrat e evakuimit.
Edhe pse fuqia e stuhisë është dobësuar në kategorinë tre, Melissa mbetet një uragan i rrezikshëm, pasi goditi Xhamajkën me forcën maksimale të kategorisë pesë.
Në Xhamajkë, stuhia la mbi 500 mijë banorë pa energji elektrike, ndërsa janë raportuar dëmtime të spitaleve, shtëpive dhe infrastrukturës rrugore. Kryeministri Andrew Holness tha se qeveria nuk ka konfirmuar ende viktima, por shtoi se “presim që mund të ketë humbje jete, duke parë shkallën e dëmeve”.
Mediat lokale raportojnë se të paktën tre persona humbën jetën gjatë përgatitjeve për stuhinë. Holness u zotua se “Xhamajka do të rindërtohet dhe do të jetë më e fortë se më parë”.
Meteorologët e AccuWeather e kanë renditur Melissën si uraganin e tretë më të fuqishëm që ka goditur Karaibet, pas Wilmas në vitin 2005 dhe Gilberit në vitin 1988.
Ndërkohë, Bahamat janë në gatishmëri të plotë, pasi pritet që stuhia të arrijë në arkipelag në orët në vijim. Qeveria ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të zonave jugore.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja e ujërave të oqeanit, e shkaktuar nga emetimet e gazeve serrë, po bën që uraganet të forcohen më shpejt dhe të bëhen më të shpeshta. Liderët e vendeve të Karaibeve kanë kërkuar nga shtetet e pasura të ofrojnë ndihmë dhe lehtësim borxhi për ishujt që përballen çdo vit me pasoja të tilla shkatërrimtare.
/REL/



