
Jola Hysaj, kandidate për deputete në qarkun e Durrësit, u shpreh se pas 12 viteve qeverisje me gënjeshtra, qytetarët janë më të ndërgjegjësuar se kurrë dhe të gatshëm për të dhënë përgjigjen e tyre më 11 maj përmes votës.
Ajo theksoi se në zona si Shijaku, Durrësi dhe fshatrat përreth, presioni elektoral dhe patronazhimi vazhdojnë të jenë të pranishëm, por beson se qytetarët do të zgjedhin lirinë dhe ndryshimin.
Fjala e saj:
Në një zonë si Shijaku, gjithçka përcaktohet pikërisht një natë para ose ditën e votimit. Kjo është edhe veçoria që e dallon Shijakun. Kur isha herën e fundit në Shijak si kandidate, gjëja më e bukur që ndodhi ishte se, sapo zbriti kameramani nga makina, u fotografua – dhe këta ishin patronazhistë të jashtëm. Patronazhimi i jashtëm në Shijak ndodh shpesh dhe mund të sjellë trysni. Por unë jam e bindur se pikërisht ky qytet do të japë përgjigjen e duhur. Shijakut do t’i rikthehet hareja.
Durrësi ka disa karakteristika ku ky target-grup – bandat dhe elementët problematikë – janë ende të ndjeshëm në këtë moment. Mesazhet qarkullojnë në mënyrë të heshtur, të padukshme, sepse nga zgjedhjet në zgjedhje, ky sistem bëhet gjithnjë e më i sofistikuar. Sa më shumë sofistikohen metodat e manipulimit, aq më e vështirë bëhet të kapen evidencat që kërkohen. Në ditën e votimit do ta kemi më të qartë se si ka funksionuar ky sistem.
Pjesërisht, zonat rurale janë shumë të ndjeshme ndaj këtyre target-grupeve, siç janë bandat, dhe kjo vlen për zona si Arapaj, Sukth apo Shijak. Ndërkohë, në qytet situata vjen duke u sofistikuar edhe më shumë. Mesazhi që u përcillet qytetarëve është i tillë që “vota lexohet edhe pa u futur në kuti”. Më ka ndodhur në një takim që një gjysh të më thoshte: “Nuk votoj, se më mbajnë shënim kur vij të votoj.”
Por duhet thënë qartë: ju duhet të shkoni të votoni me ndërgjegje të pastër. Ju keni të drejtë të votoni për kë të doni. Pikërisht sepse kjo është gara më e vështirë në 34 vite, por edhe mundësia më e mirë për të mbrojtur votën. Është momenti që të gjithë të bëjmë detyrën qytetare, të votojmë për një frymëmarrje të lirë.
Çësmeli, edhe pse është një fshat demokrat, jeton ende në kushte si në mesjetë. Aty pranë, në zonën e Gjirit të Lalzit, është bërë një protestë sepse banorët nuk kanë ujë të pijshëm – ndërkohë që vilat dhe resortet kanë. Kjo tregon qartë se ka një diferencim mes të djathtës dhe të majtës.
Njerëzit janë ndërgjegjësuar. Bashkia Durrës ka 25 vite që është në duart e PS-së, dhe kanë kaluar po kaq vite që qytetarët të kuptojnë se fonde ka. Unë mendoj se në këtë moment, pas 12 vitesh, ata nuk kanë më çfarë të gënjejnë.