Bota

Hendeku gjinor në paga në Zvicër: Gratë e martuara dhe nënat paguhen dukshëm më pak se burrat

Gratë e martuara në Zvicër vazhdojnë të përballen me një diferencë të konsiderueshme në paga krahasuar me burrat e martuar, veçanërisht ato që kanë fëmijë. Sipas një raporti të Zyrës Federale të Statistikave, të miratuar të mërkurën nga Këshilli Federal, diferenca mesatare në paga arrin 16% si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik, ndërsa për punonjësit beqarë hendeku është vetëm 1.3%.

Të dhënat tregojnë se diferenca thellohet dukshëm tek të martuarit me fëmijë, ku arrin 21%, ndërsa gratë beqare pa fëmijë fitojnë vetëm 1.9% më pak se burrat beqarë. Raporti thekson gjithashtu se hendeku gjinor rritet me moshën: 6.6% për grupmoshën nën 29 vjeç, 12.6% për moshën 30-49 vjeç dhe 19.7% për ata mbi 50 vjeç.

Diferenca në paga është e dukshme edhe sipas shkallës së punësimit dhe hierarkisë profesionale. Gratë me kohë të plotë fitojnë mesatarisht 11% më pak se burrat, ndërsa në pozicionet e larta diferenca arrin gati 15%. Raporti vëren se rreth 48% e hendekut në paga mbetet e pashpjegueshme dhe mund të lidhet me diskriminim.

Autorët e raportit rekomandojnë që institucionet të adresojnë pabarazitë në shpërndarjen e punës shtëpiake dhe kujdesit për fëmijët, si dhe të përmirësojnë kushtet e punës dhe politikat tatimore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button