Kosova

Haziri: Opsioni i shpërndarjes së Kuvendit është shantazh politik – VV s’po kërkon marrëveshje reale

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj idesë së shpërndarjes së Kuvendit, duke e cilësuar atë si një formë “shantazhi politik” që po përdoret në mungesë të përpjekjeve reale për ndërtimin e një marrëveshjeje.

Ai kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për mospasjen e vullnetit për bashkëpunim, duke thënë se nuk po shihet ndonjë përpjekje nga ana e saj për të gjetur zgjidhje.

“S’ka të bëjë me ftesa të tilla. Cinizmi, ironia, e kanë rënduar dhe e kanë bërë më neverike ardhjen tonë çdo 48 orë”, deklaroi Haziri, duke iu referuar një thirrjeje të deputetit të VV-së, Mefail Bajqinovci për koalicion.

Sipas tij, ata që e shtrojnë në tavolinë opsionin e shpërndarjes së Kuvendit dhe dënimin e deputetëve, janë ata që e shtyjnë përpara shantazhin politik dhe jo zgjidhjen kushtetuese.

“Marrëveshja politike bëhet me mirëbesim. Vendoset një rrugë të cilën fryma kushtetuese e kërkon”, tha Haziri.

Ai gjithashtu theksoi se në Kosovë “nuk ka fitues të mëdhenj”, duke nënvizuar se fituesit kanë detyrim të bashkëpunojnë dhe të ndërtojnë konsensus me të tjerët.

“Nuk është problem as i individit, as i deputetit, por është bukfalisht çështje që i kërkohet partisë së parë që ta gjejë një formë për ta ndërtuar një marrëveshje politike”, shtoi ai.

Haziri përfundoi duke theksuar se shpërndarja e Kuvendit ndodh vetëm kur dështon zgjedhja e qeverisë, dhe jo për shkak të dështimit të konstituimit, që sipas tij, është përgjegjësi ekskluzive e partisë fituese.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button