Rashit Qalaj: Presidentja dhe liderët politikë duhet të takohen disa herë në ditë për zgjidhjen e ngërçit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka bërë thirrje për angazhim më të madh institucional dhe politik për të zgjidhur ngërçin në Kuvendin e Kosovës.
Para vazhdimit të seancës konstituive sot, Qalaj u shpreh se është urgjente që situata të tejkalohet sa më parë dhe kërkoi që presidentja dhe liderët e partive politike të intensifikojnë komunikimin.
“Mendoj që edhe presidentja, edhe liderët e partive politike duhet të takohen disa herë në ditë, në mënyrë që sa më shpejt që është e mundur ta gjejmë zgjidhjen dhe të ecim tutje”, deklaroi ai.
I pyetur për qëndrimin e PDK-së lidhur me emrin e Albulena Haxhiut si kandidate për kryetare të Kuvendit, Qalaj ishte i prerë: “Albulena Haxhiu nuk kalon me votat e PDK-së”.
Kjo deklaratë vjen në një moment të ndjeshëm për skenën politike kosovare, ku mungesa e konsensusit po e zvarrit konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të fundit.