Hapet shkolla shqipe në Firence: Mësim falas për fëmijët shqiptarë në zemër të Toskanës

Në Firence, qyteti i kulturës dhe humanizmit, është hapur zyrtarisht shkolla shqipe “Jeronim de Rada”, një nismë e shoqatës kulturore shqiptare “Adriatiku”, që për 35 vjet ka promovuar mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë të moshës 5 deri në 15 vjeç. Mësimi ofrohet falas dhe synon ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor për brezat e rinj shqiptarë të lindur në Itali.
Kjo nismë e rëndësishme erdhi si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin shqiptar të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Firence dhe më gjerë në rajonin e Toskanës. Në ditën e parë të shkollës, pranë Circolo SMS Rifredi, morën pjesë 25 fëmijë të regjistruar dhe një numër i madh pjesëtarësh të komunitetit shqiptar.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të institucioneve italiane, përfshirë znj. Letizia Perini, drejtuesen e Bashkisë së Firences për Çështjet e Rinisë dhe Traditat Popullore, z. Bernardo Marasco nga CGIL, z. Filippo Ferraro, presidenti i Distriktit 5, z. Franco Muzzi, zv/president i po të njëjtit distrikt, si dhe këshilltarja dhe aktivistja znj. Senka Majda.
Presidenti i shoqatës “Adriatiku”, z. Naim Doda, shprehu optimizmin për këtë fillim të mbarë dhe premtoi hapa të tjerë për fuqizimin e shkollës shqipe. Koordinatorja e shkollës dhe njëherësh mësuese, znj. Ardita Repishti, theksoi se qëllimi është rritja dhe konsolidimi i shkollës përmes përvojës së shtatë mësueseve të gjuhës shqipe: Tonine Maçaj, Dafina Shima, Saimire Kopshti, Filloreta Alltari, Dafina Nine dhe Etleva Gjinaj.
Mbështetje për shkollën shqipe premtuan edhe përfaqësuesit italianë. Znj. Letizia Perini u shpreh e gatshme për bashkëpunim dhe ofroi mundësi për zgjerimin e shkollës në të gjithë distriktet e Firences, ndërsa z. Marasco theksoi rëndësinë e aktivizmit për të drejtat e emigrantëve. Z. Ferraro dhe z. Muzzi gjithashtu garantuan mbështetje institucionale dhe hapësira për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj nisme.
Shoqata “Adriatiku”, me përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, synon jo vetëm mësimin e gjuhës, por edhe promovimin e kulturës shqiptare në një Firence multikulturore përmes organizimit të seminareve, konferencave dhe festimeve tradicionale.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së identitetit shqiptar dhe forcimit të lidhjeve kulturore mes Italisë, Shqipërisë dhe Kosovës.