Kosova

Hapet regjistrimi për votuesit nga diaspora për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se nga data 23 korrik deri më 29 gusht 2025, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor të këtij viti.

Përmes një njoftimi zyrtar, KQZ ka bërë të ditur se aplikimi për regjistrim për votim nga jashtë mund të bëhet në platformën online zyrtare diaspora.kqz-ks.org, ose përmes postës në adresën e KQZ-së në Kosovë.

Thirrje për përfshirje në këtë proces ka bërë edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka shpërndarë këtë njoftim duke ftuar mërgatën që të bëhet pjesë e vendimmarrjes në komunat e tyre.

“Fillon periudha e regjistrimit për votim nga jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor. 23 korrik – 29 gusht 2025. Regjistrohu dhe bëhu pjesë e vendimmarrjes për komunën tuaj!”, thuhet në thirrjen e Vetëvendosjes.

Kjo parti ka ndërtuar një bazë të fortë mbështetësish në diasporë, veçanërisht pas fushatave të suksesshme në qytete evropiane gjatë zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Ajo synon ta mobilizojë këtë elektorat edhe për zgjedhjet lokale.

Zgjedhjet komunale të 12 tetorit do të përcaktojnë përbërjen e re të kuvendeve komunale dhe kryetarëve të komunave në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

KQZ u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ndodhen jashtë vendit që të shfrytëzojnë këtë mundësi ligjore për të votuar dhe për të ndikuar në të ardhmen e komunave të tyre përkatëse.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button