MSH apelon për kujdes nga temperaturat e larta: Ndiqni këto rekomandime për të mbrojtur shëndetin

Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj temperaturave të larta që po përfshijnë vendin ditëve të fundit. Në një njoftim zyrtar, MSH ka publikuar një sërë rekomandimesh për qytetarët, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes nga nxehtësia ekstreme.
Qytetarëve u kërkohet:
Të qëndrojnë larg ekspozimit në diell, veçanërisht nga ora 10:00 deri në 17:00;
Të përdorin krem mbrojtës ndaj diellit;
Të shmangin kafeinën dhe alkoolin në ditët me temperatura të larta;
Të pinë ujë rregullisht për të qëndruar të hidratuar;
Të vishen me rroba të lehta dhe me ngjyra të hapura;
Të mbajnë ambientet e brendshme të freskëta.
MSH ka bërë gjithashtu thirrje që, në rast se dikush përjeton simptoma si marramendje, djersitje të tepërt, të vjella apo konfuzion, të kërkojë ndihmë shëndetësore menjëherë.
“Ju lutemi, përmbajuni rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike,” përfundon njoftimi.
Ky apel vjen në kohën kur vendi po përballet me një valë të nxehti, e cila paraqet rrezik të shtuar veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.