Gruda akuzon VV-në për dezinformim rreth Ligjit për Amnistinë: “Manipulim i lehtë për t’u demantuar”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për dezinformim publik në lidhje me Ligjin Nr. 04/L-209 për Amnistinë.
Sipas Grudës, deputetët e VV-së, Arbrësha Kryeziu dhe Artan Abrashi, kanë mashtruar opinionin publik duke pretenduar se ky ligj ka përfshirë edhe faljen e veprave penale të vrasjes.
“Kjo është tërësisht e pavërtetë. Neni 4 i ligjit e përcakton qartë se nga amnistia përjashtohen veprat penale që kanë rezultuar me lëndime të rënda trupore ose me vdekje,” ka shkruar Gruda në një reagim publik.
Ai shton se manipulimet e tilla nga VV janë të lehta për t’u demantuar dhe i fton qytetarët ta lexojnë vetë tekstin e ligjit për të parë të vërtetën.
Ky reagim vjen në vazhdën e debatit politik rreth qëllimeve dhe efekteve të Ligjit për Amnistinë, i cili është bërë temë diskutimi mes partive në Kuvendin e Kosovës.