Aktgjykimi i Apelit ndaj Pjetër Shalës pritet të shpallet më 14 korrik 2025

Të hënën, më 14 korrik 2025, pritet të shpallet aktgjykimi në shkallën e dytë ndaj Pjetër Shalës, pas ankesës së mbrojtjes ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, e cila e dënoi me 18 vjet burgim për krime lufte.
Seanca e shpalljes së vendimit, që fillimisht ishte caktuar për 15 korrik, u shty për një ditë më herët dhe do të nisë në orën 11:40, me 10 minuta vonesë në transmetim.
Në dy seancat e Apelit, më 15 dhe 16 maj 2025, mbrojtja ka kërkuar lirimin ose rikthimin e çështjes në rigjykim, ndërsa Prokuroria dhe mbrojtësi i viktimave kanë kërkuar që dënimi të mbetet në fuqi, duke vlerësuar se trupi gjykues i shkallës së parë ka vendosur drejtë.
Më 28 mars 2025, u hodh poshtë kërkesa e mbrojtjes për thirrjen si dëshmitar të Sokol Dobrunës, pasi kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard, theksoi se provat e propozuara nuk do të kishin ndikim në aktgjykim.
Pjetër Shala po ashtu ka apeluar edhe urdhrin për zhdëmtim prej 208 mijë eurosh ndaj viktimave, por vendimi për këtë kërkesë do të merret veçmas dhe nuk do të përfshihet në aktgjykimin që do të shqiptohet më 14 korrik.
Në shkallën e parë, më 16 korrik 2024, Shala u dënua me 18 vjet burgim, duke u shpallur fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme të kryera në periudhën maj-qershor 1999 në fabrikën e metalit në Kukës, ku u mbajtën të ndaluar të paktën 18 persona.
Procesi gjyqësor filloi në shkurt 2023, me dëgjimin e dëshmitarëve dhe paraqitjen e provave nga Prokuroria dhe mbrojtësi i viktimave. Shala u arrestua në mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në Hagë në prill të atij viti.
Në aktakuzë ai ngarkohet për krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit në Kosovë, përfshirë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje