KryesoreLajme
Kryesore

Grillo: Këto nuk janë zgjedhje, por produkt i një sistemi manipulues

Aktivistja Iva Grillo u shpreh me shqetësim lidhur me rezultatet e fundit zgjedhore, të cilat sipas saj nuk janë pasqyrë e vullnetit të lirë të qytetarëve, por produkt i një sistemi të thelluar kontrolli dhe manipulimi nga qeveria aktuale.

Ajo theksoi se në vend të reflektimit mbi dhjetë vjet keqqeverisje, me skandale të përsëritura dhe abuzim të pushtetit, po shohim një përforcim të mekanizmave të patronazhit dhe kapjes së shtetit.
Për Grillon, kjo nuk është më demokraci funksionale, por një skemë që ngjan gjithnjë e më shumë me regjimet autokratike.

Deklarata:

Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të shihet si një fotografi e momentit, por është më e përshtatshme ta shohim si një skaner të asaj çka ka ndodhur gjatë këtyre viteve. Duket si një manipulim i ndërtuar me kujdes, pothuajse në nivel qelizor, nga sistemi patronazhist i votës, me qëllim që të tjetërsojë ose të paraqesë vullnetin e qytetarëve në një formë të caktuar.

Kur them që është e rëndësishme ta shohim si një skaner të viteve të fundit, e kam fjalën për faktin se rezultate të tilla, në mandatin e katërt, janë karakteristike për vende me regjime autokratike. Duke analizuar performancën e qeverisë Rama gjatë një dekade – veçanërisht në vitet e fundit – dhe duke pasur parasysh edhe skandalet e shumta që publiku i njeh mirë, ajo që pritej zakonisht do të ishte një rënie e ndjeshme, si pasojë e konsumimit nga pushteti. Por ne nuk po shohim një rënie – përkundrazi, po shohim një rritje.

Ky është sinjali i parë që ndez dritat e alarmit, veçanërisht kur shoqërohet me rubrika lajmesh ku kapen patronazhistët “live” në media – dhe jo në zona të thella të vendit, por në mes të Tiranës. Janë pamje tronditëse që tregojnë se çfarë mund ta detyrojë një zonjë në moshë të pjekur, që mban një pozicion në qeverinë Rama, të vendosë një kapuç në kokë dhe të vrapojë si adoleshente për t’i shpëtuar kamerës.

E kombinuar me këto raporte, krijohet përshtypja se këtu ka ndodhur diçka e madhe. Ajo që dua të shtoj është edhe fakti se rezultatet tregojnë një mospërputhje të madhe me atë që dihet nga kontakti i drejtpërdrejtë në terren.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button