Rajoni

Greqi: Shkatërrohet organizatë narkotrafiku në Pire, katër persona në pranga

Nëndrejtoria e Narkotikëve e Drejtorisë së Kundërmasave të Krimit të Organizuar në Greqi ka goditur një rrjet narkotrafiku që vepronte në zonën e Pireut.

Sipas njoftimit të policisë helene, janë arrestuar tre shtetas grekë të moshës 49, 46 dhe 40 vjeç, si dhe një 22-vjeçar i huaj, i cili u kap në rrugë me sasi kokaine që e kishte blerë nga 40-vjeçari – udhëheqësi i organizatës.

Hetimet kanë zbuluar se 40-vjeçari drejtonte rrjetin, koordinonte veprimet e anëtarëve të tjerë, gjente furnizues e klientë dhe merrej me trafikimin dhe fshehjen e fitimeve. Aktiviteti i grupit maskohej përmes dyqaneve të artit dhe ambienteve të tjera në Pire.

Ndërkohë, 49-vjeçari ishte përgjegjës për ruajtjen e armëve, drogës dhe parave, duke përdorur një punishte motoçikletash dhe shtëpinë e tij si mbulesë. 46-vjeçari kujdesej për transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Policia bëri të ditur se njëri prej të arrestuarve është i njohur për drejtësinë, pasi më parë ka qenë nën hetim për organizatë kriminale dhe shkelje të ligjeve për drogën.

Gjatë kontrolleve në një shtëpi dhe një garazh të përdorur nga grupi, u sekuestruan:

3.8 kilogramë kokainë

845 gramë kanabis

5 tableta “Ecstasy”

një pushkë dhe 49 fishekë

2 automjete dhe 1 motoçikletë

6,560 euro para të gatshme

4 telefona celularë

2 kamera sigurie

një kasafortë me 3 çelësa

Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbuluar lidhjet e mundshme të grupit me rrjete të tjera ndërkombëtare të trafikut të drogës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button