Gratë shtatzëna dhe foshnjat, gjithnjë e më të rrezikuara nga nxehtësia ekstreme: Alarmi i fundit nga studimet ndërkombëtare

Ngjarjet ekstreme të nxehtësisë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive në të gjithë botën, dhe tashmë nuk janë vetëm të moshuarit që rrezikohen. Një studim i fundit paralajmëron se gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre janë veçanërisht të ekspozuara ndaj pasojave të rënda shëndetësore që vijnë nga valët ekstreme të të nxehtit, të cilat po përkeqësohen për shkak të ngrohjes globale.
Sipas një raporti të publikuar nga organizata Climate Central, që shqyrton lidhjen mes ndryshimeve klimatike dhe shëndetit të grave shtatzëna, temperaturat ekstreme janë kthyer në një faktor të rëndësishëm rreziku për shtatzënitë. Analizat e realizuara në 222 shtete tregojnë se që nga viti 2020, numri i ditëve me nxehtësi ekstreme që paraqesin rrezik për shtatzënitë është dyfishuar, duke e kthyer këtë fenomen në një sfidë globale për sistemet shëndetësore.
Rreziku është edhe më i madh në rajone ku qasja në kujdesin shëndetësor është e kufizuar, si në Karaibe, Amerikën Latine dhe Qendrore, Azinë Juglindore, Ishujt e Paqësorit dhe Afrikën Subsahariane. Studime të mëparshme të botuara në revistën prestigjioze Nature Medicine kanë treguar se temperaturat e larta rrisin ndjeshëm rrezikun për lindje të parakohshme, vdekje neonatale dhe defekte të lindjes.
Përveç nxehtësisë ekstreme, ndikimet e tjera të ndryshimeve klimatike – përfshirë ndotjen e ajrit dhe përmbytjet – përbëjnë gjithashtu faktorë të rrezikshëm që mund të përkeqësojnë shëndetin gjatë shtatzënisë.