Kosova
Kryesore

Gjykata refuzon pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë – ZRRE fton bizneset të kalojnë në treg të lirë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën për vendosjen e masës së sigurisë ndaj njoftimit publik të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Vendimi është marrë në dy raste të ndara dhe u bë i ditur sot, më 9 korrik 2025.

Kërkesat për pezullimin e përkohshëm të liberalizimit ishin parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës (SHPK).

Në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar se liberalizimi i tregut të energjisë:

Promovon konkurrencë më të madhe ndërmjet furnizuesve,

Nxit presion për çmime më të ulëta dhe shërbime më cilësore për konsumatorët,

U mundëson ofruesve të ofrojnë oferta më të favorshme,

Rrit efikasitetin e sektorit energjetik dhe menaxhimin më të mirë të kostove – gjithmonë në interes të publikut dhe konsumatorëve.

Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar provat e paraqitura nga paditësit dhe ka konstatuar se bizneset që kërkuan pezullimin nuk e përmbushin kushtin ligjor për të përfituar shërbim universal, pasi nuk kanë dëshmuar se kanë më pak se 50 punëtorë – edhe pse kanë qarkullim vjetor nën 10 milionë euro.

ZRRE rikujton se sipas Ligjit për Energjinë Elektrike (Nr. 05/L-085), i cili është në fuqi që nga viti 2016, bizneset që kanë mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor, nuk kanë të drejtë të furnizohen me shërbim universal dhe duhet të kalojnë në treg të lirë.

Institucioni fton të gjitha bizneset që i plotësojnë kriteret ligjore, të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të gjetur furnizues alternativ në tregun e hapur, duke përfituar nga konkurrenca dhe oferta më të volitshme.

ZRRE thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e një tregu energjetik funksional, të hapur dhe në përputhje me standardet evropiane.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button