Arijanet Muriç drejt largimit nga Ipswichi – Sassuolo dhe Monaco në garë për nënshkrimin e tij

Portieri i përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriç, pritet të largohet nga Ipswich Town gjatë kësaj vere, pas rënies së klubit nga Premierliga.
E ardhmja e gardianit shqiptar nga Mali i Zi është vënë në pikëpyetje, ndërsa interesimi për të po rritet në arenën ndërkombëtare. Sipas gazetarit sportiv Dominik Schneider, Muriç është në radarët e klubeve nga Serie A dhe Ligue 1.
Sassuolo ka qenë ndër të parat që ka shfaqur interes konkret, madje raportohet se i ka bërë edhe një ofertë klubit anglez, megjithëse ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.
Në garë është futur edhe gjiganti francez, Monaco, i cili po ashtu e sheh Muriçin si një përforcim të rëndësishëm për repartin e portës.
Edhe pse i ka kontratë me Ipswichin deri në vitin 2028, 25-vjeçari është i hapur për të dëgjuar ofertat dhe për një kapitull të ri në karrierën e tij.
Muriç iu bashkua Ipswich Town verën e kaluar nga Burnley, por rënia nga elita e futbollit anglez duket se do ta detyrojë të kërkojë një skuadër me ambicie më të larta.