Lajme

Gjin Gjoni: Më 11 maj, ish-të përndjekurit politikë do ndëshkojnë me votë përçmimin e regjimit të Ramës

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni, ka bërë një deklaratë të fortë në mbështetje të ish-të përndjekurve politikë dhe pasardhësve të tyre, duke paralajmëruar një “ndëshkim me votë” më 11 maj ndaj atyre që, sipas tij, i kanë injoruar dhe përçmuar për vite me radhë.

Gjoni ka cilësuar këtë datë si një mundësi për kthesë në politikën e qarkut, duke theksuar se kontributi i ish-të përndjekurve politikë ka qenë dhe mbetet themel i çdo fitoreje të së djathtës në Lezhë.

“Ish-të përndjekurit politik dhe pasardhësit e tyre, në 11 maj do ndëshkojnë me votë Çyrykun e Kristaq Ramës dhe eunukët e tij!”, shprehet Gjoni në një postim të publikuar së fundmi në rrjetet sociale.

Ai ka theksuar se në zgjedhjet vendore, e majta nuk ka fituar kurrë në këtë qark, kryesisht falë qëndresës dhe përkushtimit të të përndjekurve politikë, të cilët sipas tij, kurrë nuk i kanë tradhtuar idealet e së djathtës.

Duke sjellë në vëmendje edhe sakrificat historike të trevave si Mirdita, Puka, Fushë-Arrëzi, Lezha dhe Kurbin gjatë regjimit komunist, Gjoni u shpreh se këto zona mbeten simbole të qëndresës ndaj diktaturës, dhe banorët e tyre përbëjnë sot shumicën e popullsisë së qarkut.

“Janë ata forca jonë më e madhe dhe identiteti ynë i vërtetë. Në 12 vite në pushtet, Edi Rama vetëm i ka përçmuar dhe diskriminuar. Madje, ka guxuar të përmendë edhe varret e të parëve të tyre”, deklaroi Gjoni.

Ai u zotua se pas zgjedhjeve të 11 majit, të përndjekurit do të kenë vëmendjen dhe mbështetjen maksimale të Partisë Demokratike, edhe pse, siç theksoi ai, “borxhet që ne u kemi atyre nuk shlyhen kurrë”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button