Gjilan: Tre persona humbin jetën, policia në kërkim të tre të dyshuarve

Një ditë pas ngjarjes tragjike të së dielës në mesditë në Gjilan, ku humbën jetën tre persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur, autoritetet ende nuk kanë arritur të arrestojnë tre të dyshuarit kryesorë: Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra.
Drejtori rajonal i Policisë në Gjilan, Adnan Rukiqi, tha se po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore, ndërsa është kërkuar edhe bashkëpunim ndërkombëtar. Sipas tij, janë njoftuar të gjitha pikat kufitare dhe janë kryer kontrolle për lokalizimin e të dyshuarve, por deri më tani ata nuk janë gjetur.
I dyshuari kryesor, Mefail Shkodra, është i njohur për organet e drejtësisë dhe ka precedent penal për një sërë veprash, përfshirë sulme, fajde, mashtrim, kërcënim dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.
Prokurori i rastit, Isuf Sadiku, deklaroi për media se menjëherë pas marrjes së informacionit janë realizuar veprimet e para në vendin e ngjarjes dhe urdhërkontrolle, por pa sukses në arrestimin e të dyshuarve. Ai shtoi se është ende herët për të folur për motivin e krimit, pasi hetimet vazhdojnë dhe do të merren në pyetje të mbijetuarit.
Nga ngjarja e rëndë, një person vdiq në vend, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë në spitalin rajonal të Gjilanit. Një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë në QKUK në Prishtinë, dhe një i pestë ka pësuar lëndime me mjete të forta.