Bota

Gjermania përballet me debat për rritjen e taksave ndaj të pasurve për të mbyllur boshllëkun buxhetor

Gjermania po përballet me një debat të ashpër politik për shkak të një boshllëku buxhetor prej mbi 30 miliardë eurosh në vitin 2027. Ministri i Financave dhe kreu i SPD-së, Lars Klingbeil, nuk e ka përjashtuar mundësinë e rritjes së taksave për qytetarët me të ardhura të larta, duke theksuar se “të gjitha opsionet duhet të mbeten të hapura derisa deficiti të mbulohet”.

Në emisionin “Bericht aus Berlin”, Klingbeil u shpreh se deficiti është rritur më tej për shkak të projekteve si “pensioni i nënave” dhe kompensimet për komunat në kuadër të programit “stimulimi i rritjes”. “Nuk mendoj se ka pasur ndonjëherë një qeveri federale që është dashur të mbyllë një boshllëk kaq të madh në buxhet”, deklaroi ai.

Megjithatë, partnerët e koalicionit në CDU/CSU kanë reaguar me indinjatë. Kancelari federal Friedrich Merz ka kundërshtuar qartë çdo rritje të taksave, duke theksuar se në marrëveshjen e koalicionit është rënë dakord që taksat të mos preken. “SPD e di shumë mirë këtë”, tha Merz, duke shtuar se qeveria duhet të fokusohet te pikat e përbashkëta dhe jo te ato që e ndajnë.

Edhe kreu i CSU-së, Markus Söder, ka kritikuar idetë e Klingbeil. Ai kërkon jo rritje, por ulje taksash, duke theksuar se marrëveshjet e nënshkruara duhen respektuar. Söder gjithashtu kërkoi reforma në ndihmat sociale (“Bürgergeld”), me kushte më të rrepta për përfituesit që refuzojnë punën.

Debati pritet të mbetet në qendër të politikës gjermane, pasi qeveria përballet me sfidën e mbulimit të një prej boshllëqeve më të mëdha buxhetore në historinë e saj.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button