Bota

Gjermania njoh një rritje rekord të diplomave të huaja profesionale, përballë mungesës së fuqisë punëtore

Gjermania po rrit ndjeshëm njohjen e diplomave profesionale nga jashtë vendit, duke lehtësuar integrimin e migrantëve në tregun e punës. Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave në Wiesbaden, vetëm gjatë vitit 2024 janë njohur rreth 79 mijë diploma, një rritje prej 21% krahasuar me vitin 2023, njofton DW, përcjell albinfo.ch.

Që nga futja e procedurës së unifikuar të njohjes së diplomave në vitin 2016, numri i aplikimeve të pranuara është trefishuar. Ekspertët e ekonomisë e shohin këtë zhvillim si një sinjal pozitiv për ekonominë gjermane, e cila përballet me mungesë të theksuar të punonjësve të kualifikuar.

Sipas parashikimeve, brenda 15 viteve të ardhshme, gati një e treta e të punësuarve aktualë do të dalin në pension, ndërsa brezi i ri nuk do të jetë i mjaftueshëm për të mbuluar boshllëkun. Kjo do të rrisë presionin mbi sistemet e sigurimeve shoqërore dhe konkurrencën për profesionistë të kualifikuar.

Shtetet që kryesojnë me numrin e diplomave të njohura janë Turqia me mbi 9.200 diploma dhe Ukraina me mbi 6.400, dyfish më shumë se një vit më parë. India, Siria, Tunizia, Filipinet dhe Bosnje-Hercegovina janë gjithashtu ndër vendet me numër të konsiderueshëm diplomash të njohura.

Profesioneve më të kërkuara iu përkasin kujdestarët dhe infermierët (+19% më shumë diploma krahasuar me vitin paraprak), mjekët (mbi 11 mijë diploma të njohura), inxhinierët (rreth 4.400 diploma) dhe profesione të tjera si mësuesit, fizioterapistët dhe edukatorët.

Ky trend tregon se Gjermania po hapet gjithnjë e më shumë ndaj fuqisë punëtore të kualifikuar nga jashtë, për të përballuar sfidat demografike dhe ekonomike të së ardhmes.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button