Gjermania dhe SHBA me plane të reja bashkëpunimi industrial në Ukrainë

Kievi u ka kërkuar partnerëve perëndimorë mbështetje për zgjerimin e industrisë vendase të prodhimit të armëve, në përpjekje për të përballuar pushtimin rus që vazhdon prej katër vjetësh.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Denys Shmyhal, njoftoi se koncerni gjerman i armatimeve Rheinmetall do të ndërtojë një fabrikë të re në Ukrainë për prodhimin e predhave të artilerisë. “Për ndërtimin e një fabrike të re për të prodhuar predha për forcat e armatosura ukrainase është caktuar një parcelë toke në një rajon të sigurt të Ukrainës”, shkroi Shmyhal në platformën X.
Ndërkohë, edhe SHBA po shqyrton mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve me Ukrainën. Presidenti Volodymyr Zelenski tha se këtë çështje e ka diskutuar në Kiev me të dërguarin amerikan Keith Kellogg.
“Diskutuam rrugë të ndryshme për bashkëpunim – se si të arrijmë paqe të vërtetë dhe të sigurojmë sigurinë e Ukrainës. Pjesë e bisedimeve ishin marrëveshje të forta dypalëshe për prodhimin e përbashkët të dronëve dhe armëve, të cilat ia kemi propozuar SHBA-së. Ne presim një përgjigje pozitive nga Uashingtoni”, shkroi Zelenski në Telegram.