Lajme

Gjermani: Katër shqiptarë përballen me drejtësinë për mashtrime investimesh online me dëme mbi 1 miliard euro

Katër shtetas shqiptarë pritet të dalin para gjykatës në landin e Saksonisë, të akuzuar për përfshirje në një organizatë kriminale ndërkombëtare që dyshohet se ka kryer mashtrime masive me investime online.

Tre burra shqiptarë, të moshës nga 26 deri në 31 vjeç, dhe një grua 29-vjeçare, janë në qendër të një hetimi që përfshin organizatën e quajtur “PumaTs”, e cila dyshohet se ka operuar nga Shqipëria, Lituania dhe Gjeorgjia. Sipas autoriteteve gjermane, kjo organizatë ka qenë përgjegjëse për më shumë se 500 platforma të rreme investimi, të cilat kanë mashtruar qytetarë në mbarë botën.

Prokuroria e Përgjithshme gjermane raportoi se dëmi i përgjithshëm i shkaktuar nga kjo skemë arrin në mbi 1 miliard euro, ndërsa vetëm në Saksoni, viktimat kanë humbur rreth 40 milionë euro.

Sipas akuzës, tre burrave shqiptarë u ngrihen akuza për mashtrim në 646 raste, përmes një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa gruaja përballet me 685 akuza të ngjashme.

Si funksiononte skema?
Mashtruesit përdornin të ashtuquajturën metodë “cybertrading”, duke ofruar produkte të dyshimta investimi përmes internetit. Pasi premtonin fitime të mëdha me investime minimale, viktimat rekrutoheshin përmes reklamave dhe drejtoheshin në faqe mashtruese. Aty ata regjistroheshin, jepnin të dhënat personale dhe më pas investonin para që përfundonin në llogari bankare jashtë vendit.

Si u kapën të akuzuarit?
Njëri prej burrave u arrestua më 8 nëntor 2022 në Gjeorgji, ndërsa gruaja u ndalua më 6 tetor 2024 në Itali dhe më pas u ekstradua në Gjermani. Dy të tjerët u vetëdorëzuan në autoritetet gjermane në shkurt 2024.

Autoritetet gjermane e konsiderojnë këtë rast si një nga më të mëdhenjtë të mashtrimeve financiare me përmasa ndërkombëtare dhe pritet që procesi gjyqësor të hedhë më shumë dritë mbi rrjetin e përhapur dhe bashkëpunimin e organizuar mes vendeve të ndryshme.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button